Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur festimet me rastin e 10-vjetorit të pranimit në UEFA dhe FIFA, një moment historik që vulosi rrugëtimin e gjatë, të vështirë dhe plot sakrifica të futbollit kosovar.
Kjo ditë e veçantë u shënua me një sërë aktivitetesh në Kampi Nacional në Hajvali, ku morën pjesë ekipet e Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, Ambasada Amerikane dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, duke dëshmuar edhe një herë unitetin dhe mbështetjen për sportin dhe shtetin.
Festimet nisën me një ndeshje emocionale të Kombëtares së Amputuarve në futboll, duke sjellë një mesazh të fuqishëm për vullnetin, forcën dhe dashurinë për lojën, përtej çdo sfide.
Paralelisht, gjatë gjithë ditës u zhvillua festivali “Grassroots”, ku fëmijë nga shtatë regjione të Kosovës sollën energji, buzëqeshje dhe shpresë për të ardhmen e futbollit.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në fjalën e tij hapëse, rikujtoi rrugëtimin e gjatë drejt pranimit në organizatat ndërkombëtare, një proces i ndërtuar mbi sakrificat e shumë brezave që nuk u dorëzuan as në momentet më të vështira.
Ai shprehu mirënjohje për të gjithë kontribuuesit në këtë arritje historike, duke theksuar se kjo dekadë nuk është vetëm një përvjetor, por edhe një dëshmi se sa larg mund të arrijë Kosova kur qëndron e bashkuar.
Festimet do të përmbyllen me ndeshjen e veteranëve mes Kosovës dhe Shqipërisë./Raporto24



