Kapet ar i padeklaruar në një autobus në Han të Elezit

Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Doganën e Kosovës, ka realizuar me sukses një operacion në pikën kufitare “Hani i Elezit”, duke parandaluar një rast të kontrabandimit me ar të padeklaruar.
Sot, rreth orës 16:10, mbi bazën e informacioneve inteligjente, është ndaluar për kontroll në vijën e dytë një autobus i linjës së rregullt Serbi – Maqedonia e Veriut, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë (M.L.).
Gjatë kontrollit të detajuar, në çantën e një pasagjereje (J.H.) janë zbuluar stoli ari të ndryshme (varëse dhe unaza), të fshehura në një qese të mbyllur. Po ashtu, tek drejtuesi i autobusit janë gjetur të fshehura në xhaketën e tij edhe disa rrathë dore dhe një medaljon ari.
Pesha totale e arit të sekuestruar është 129.76 gram. Ari nuk ishte deklaruar dhe është konfiskuar nga autoritetet doganore për procedura të mëtejshme, ndërsa vlera e tij pritet të përcaktohet nga njësitë përkatëse të Doganës së Kosovës.
Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës mbeten të vendosura në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke garantuar siguri dhe rend në kufijtë shtetërorë të Republikës së Kosovës.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU