Aksioni i Policisë dhe IPK-së, prangosen 6 persona për keqpërdorim detyre e ryshfet -sekuestrohen vetura, ora e telefona

Një aksion i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) është zhvilluar të enjten në disa lokacione të vendit, nën dyshimet për keqpërdorime dhe dallavere me prona.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila bëri të ditur se aksionet janë realizuar në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.

Si rezultat i këtij operacioni, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe IPK-në, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar gjashtë persona për 48 orë, me inicialet: F.S., L.R., N.S., A.I., A.Sh. dhe B.B.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit po hetohen për disa vepra penale, përfshirë:

“Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorim të informatës zyrtare”, “Mashtrim”, “Legalizim të përmbajtjes së rreme”, “Deklarim të rremë nën betim”, “Marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti”, “Marrje deklaratash me anë të shtrëngimit”, si dhe “Shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Në kuadër të aksionit, Prokurori i Shtetit ka sekuestruar dy vetura në vlerë rreth 80 mijë euro, një orë dore të markës Rolex me vlerë prej 8 deri në 10 mijë euro, pesë telefona celularë dhe dokumente të tjera që pritet të shërbejnë si prova materiale në procedurën penale.

Prokuroria ka njoftuar se, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masave të sigurisë ndaj të dyshuarve.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU