Audi i kuq përplas qëllimisht motorin në Klinë, dy të rinj përfundojnë në spital – rasti cilësohet tentim vrasje

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën pasdite në fshatin Zllakuqan të Klinës, ku dy të rinj kanë mbetur të lënduar pasi motori me të cilin po lëviznin dyshohet se është goditur qëllimisht nga një veturë.

Sipas informacioneve të siguruara nga burime të besueshme të afërta me hetimin, fillimisht rasti ishte raportuar si aksident trafiku me lëndime. Megjithatë, pas daljes në vendin e ngjarjes dhe analizimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë, hetuesit kanë dyshuar se bëhet fjalë për një veprim të qëllimshëm.

Dyshohet se një veturë Audi me ngjyrë të kuqe ka goditur motorin ku ndodheshin Rinor Avdyli dhe Erblin Avdyli, duke u shkaktuar lëndime trupore, e më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Të lënduarit janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës, ku sipas informacioneve të fundit vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor.

Burimet bëjnë të ditur se si i dyshuar për rastin po hetohet Florent Berisha, ndërsa automjeti që dyshohet se është përdorur në incident është gjetur i braktisur në fshatin Trestenik të Pejës.

Vetura është sekuestruar dhe do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të nevojshme forenzike, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e trafikut, hetuesit rajonalë dhe ekipet relevante policore.

Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes.

Sipas burimeve, rasti nuk ka asnjë lidhje me procesin zgjedhor.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU