‘Do vij herët për të qenë turist’, Bryan Adams flet përpara koncertit në Prishtinë

Prishtina do të mirëpresë për herë të parë Bryan Adams më 27 qershor 2026.

Pas koncertit të suksesshëm në Tiranë vitin e kaluar, legjenda e rock-ut ka vendosur të sjellë në Kosovë formatin intim të turneut “The Bare Bones”, një seri koncertesh akustike që njihen për thjeshtësinë dhe afërsinë me publikun.

Në intervistë ekskluzive për Prive by Liberta Spahiu, Adams foli për herë të parë për përshtypjet e tij për Kosovën, për arsyet pse zgjodhi ta përfshijë Prishtinën në këtë turne dhe për lidhjen e veçantë që krijon me fansat në vende të reja.

Kur u pyet për përshtypjet e para për Kosovën para se ta shtonte Prishtinën në itinerar, Adams u përgjigj drejtpërdrejt: “Sigurisht. Dua Lipa dhe Rita Ora kanë qenë ambasadore të shkëlqyera për ju. Jam i interesuar të shoh disa nga vendet antike romake, kështu që do të vij herët për të qenë turist.”

Për sa i përket vendimit për të sjellë turneun “Bare Bones” në Prishtinë, artisti shpjegoi se ky format i jep më shumë fleksibilitet. “Është një mënyrë tjetër pune, sigurisht, por e dua sepse më lejon të jem shumë fleksibël se ku mund të luaj. Për shembull, disa ndërtesa në botë nuk janë të përshtatshme për një bend rock, si Sydney Opera House ose Carnegie Hall, por janë perfekte për shfaqjen Bare Bones.”

Adams theksoi se ky turne e paraqet muzikën ashtu siç u shkruan fillimisht – të zhveshur, vetëm me zë dhe kitarë, me Gary Breit që i bashkohet në piano për gjysmën e koncertit. Kjo qasje, sipas tij, krijon një lidhje më të drejtpërdrejtë me publikun, pa prodhimin e madh të koncerteve në stadiume.

I pyetur se si i ndjen këngët e tij kur sheh breza të ndryshëm të këndojnë së bashku, Adams u përgjigj se kjo është dëshmi e fuqisë së muzikës së tij. “Po, e shoh këtë gjithmonë. Mendoj se është një dëshmi për vetë këngët që kanë mundur të durojnë provën e kohës. Në disa mënyra, këto këngë janë më të mëdha tani se kurrë.”

Për fansat kosovarë që kanë pritur kaq gjatë, mesazhi i tij ishte i thjeshtë dhe i ngrohtë: “Ejani dhe kënaquni me një natë jashtë, këndoni nëse doni, nuk do t’ju gjykoj!”

Me ardhjen e Bryan Adams në Prishtinë, Kosova shton një tjetër moment të rëndësishëm në kalendarin e saj kulturor. Turneu “Bare Bones” premton një natë intime ku muzika e një prej artistëve më të mëdhenj të rock-ut do të dëgjohet për herë të parë në kryeqytet, në një format që i kthen këngët origjinalitetit të tyre.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU