Në vitin 2025, janë regjistruar 12 119 vdekje brenda dhe jashtë Kosovës. Prej këtyre vdekjeve të regjistruara, 10 351 vdekje kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës, nga të cilat 5 507 ishin meshkuj ose 53,2 % dhe 4 844 ishin femra ose 46,8 %.
Kosova ka regjistruar më shumë vdekje gjatë vitit 2025 sesa në vitin paraprak.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar gjithsej 12.119 vdekje brenda dhe jashtë vendit, që paraqet një rritje krahasuar me vitin 2024.
Nga numri i përgjithshëm i vdekjeve të regjistruara, 10.351 kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës. Prej tyre, 5.507 persona ose 53,2 për qind ishin meshkuj, ndërsa 4.844 ose 46,8 për qind ishin femra.

Krahasuar me vitin 2024, kur ishin regjistruar 10.137 vdekje brenda vendit, në vitin 2025 numri është rritur për 214 raste.
Ndërkaq, jashtë Kosovës janë regjistruar 1.768 vdekje të shtetasve të Kosovës. Në raport me vitin paraprak, kur ishin regjistruar 1.673 raste, numri është rritur për 95 vdekje.
Sipas ndarjes komunale, numri më i madh i vdekjeve është regjistruar në Prishtinë me 2.979 raste ose 24,6 për qind të totalit. Pas saj renditen Prizreni me 1.050 raste ose 8,7 për qind dhe Peja me 736 raste ose 6,1 për qind.
Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2025 janë regjistruar edhe 198 foshnja të vdekura në Kosovë, që përbëjnë 1,9 për qind të të gjitha vdekjeve të regjistruara. Nga to, 109 ishin meshkuj dhe 89 femra.

Shumica e vdekjeve të foshnjave kanë ndodhur në ditët e para të jetës. Sipas statistikave, 139 foshnja ose 70,2 për qind kanë vdekur deri në moshën gjashtëditore. Ndërsa 41 raste ose 20,7 për qind kanë ndodhur nga dita e shtatë deri në ditën e 27-të të jetës, kurse 18 raste ose 9,1 për qind nga dita e 28-të deri në moshën njëvjeçare.
Mosha mesatare e personave të vdekur gjatë vitit 2025 ishte 72 vjeç. Tek meshkujt mosha mesatare e vdekjes ishte 70 vjeç, ndërsa tek femrat 74 vjeç, duke treguar se gratë vazhdojnë të kenë jetëgjatësi më të lartë se burrat në Kosovë.


