Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për mungesë rezultatesh dhe dështim në realizimin e projekteve strategjike në sektorin e energjisë.
Haradinaj tha se Kurti, në mungesë të rezultateve, vazhdon të flasë për të kaluarën, ndërsa qytetarët jetojnë me problemet e vitit 2026.
Ai theksoi se, pavarësisht premtimeve për transformim dhe pavarësi energjetike, Kosova vazhdon të mbetet importuese neto e energjisë elektrike dhe nuk ka ndërtuar asnjë kapacitet të ri bazik prodhues.
“Kur e more pushtetin, premtove transformim energjetik, pavarësi energjetike nga importi, zhvillim ekonomik dhe investime strategjike. Sot, pas pesë-gjashtë vjetësh: • Kosova ende nuk e prodhon energjinë që konsumon, pra nuk mund ta mbulojë konsumin; • Kosova vazhdon të mbetet importuese neto e energjisë elektrike; • Sipas të dhënave të Energy Community, në vitin 2024 Kosova ka prodhuar rreth 6,059 GWh energji elektrike, ndërsa ka konsumuar rreth 6,611 GWh, duke mbetur me deficit prej mbi 550 GWh; • Kërkesa/ngarkesa kulmore (në peak) në vitin 2025 ka arritur rreth 1,600 MW, ndërsa kapaciteti operativ ka qenë rreth 1,241 MW • Kosova ende mbështetet pothuajse tërësisht në termocentralet me linjit të ndërtuara para më shumë se pesë dekadash; • Nuk është ndërtuar asnjë termocentral i ri; • Nuk është ndërtuar asnjë central me gaz; • Nuk është ndërtuar asnjë kapacitet i ri bazik prodhues që garanton sigurinë energjetike afatgjate të vendit”, shkroi Haradinaj.
Ish-kryeministri gjithashtu ngriti shqetësimin për shpenzimet për importin e energjisë, duke pretenduar se nga 1 janari 2021 deri më 31 mars 2026 janë shpenzuar mbi 923 milionë euro për blerjen e energjisë elektrike, ose mbi 652 milionë euro më shumë se në periudhën 2015-2020.
“Ku është termocentrali i ri? Ku është centrali me gaz? Ku është projekti që do ta zëvendësojë TC Kosova A? Ku është projekti që do ta bëjë Kosovën më pak të varur nga importi?”, pyeti Haradinaj.
Ai rikujtoi edhe arritjet e qeverisë së tij në sektorin energjetik, duke përmendur krijimin e bllokut rregullues Kosovë-Shqipëri, marrëveshjen e kyçjes me ENTSO-E dhe njohjen ndërkombëtare të zonës rregulluese të Kosovës.
Në fund, Haradinaj tha se dallimi mes tij dhe Kurtit qëndron te rezultatet konkrete, duke shtuar se “energjia nuk matet me propagandë, por me megavatë të ndërtuar, rrjet të ndërtuar dhe siguri të furnizimit për qytetarët”.


