Një vetaksident që fillimisht u trajtua si rast me lëndime trupore, ka marrë epilog tragjik pas më shumë se një muaji luftë për jetën.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se bëhet fjalë për Gazmend Alidemën (1976) nga Gjilani, i cili ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra në një aksident të ndodhur më 2 maj 2026.
Sipas hetimeve, ngjarja kishte ndodhur në parkingun e “Drini Market”, në rrugën “Lufta e Gjilanit”. Dyshohet se Alidema kishte ndaluar automjetin e tij BMW X6 dhe, në momentin kur po dilte nga vetura, nuk e kishte siguruar siç duhet atë.
Automjeti kishte nisur të lëvizte vetë dhe ishte përplasur me një shtyllë elektrike, duke i shkaktuar lëndime vetë drejtuesit, i cili në ato çaste ndodhej jashtë automjetit ose në tentativë për të dalë prej tij.
Ajo që e bën edhe më të pazakontë këtë rast është fakti se aksidenti, ndonëse kishte ndodhur më 2 maj, ishte raportuar vetëm më 6 maj nga vetë Gazmend Alidema, i cili atëherë kishte marrë trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Gjilan.
Më pas, me kërkesën e tij, ai ishte transferuar për trajtim të specializuar në një spital në Maqedoninë e Veriut, ku për javë të tëra luftoi me pasojat e lëndimeve.
Por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, familjarët kanë njoftuar Policinë se më 14 qershor, rreth orës 13:00, Gazmend Alidema ka ndërruar jetë në spitalin ku po trajtohej jashtë vendit.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa hetimet do të vazhdojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij vetaksidenti që përfundoi me humbjen e jetës së 50-vjeçarit.
Një pakujdesi e çastit në parking u shndërrua në një betejë disa javore për mbijetesë – betejë që Gazmend Alidema nuk arriti ta fitojë.


