Kryetarja e partisë Guxo, parti kjo në koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen, Donika Gërvalla deklaroi se bisedimet me partitë e tjera për koalicion të mundshëm do të zhvillohen pas certifikimit të rezultateve nga zgjedhjet e 7 qershorit, raporton KosovaPress.
Zëvendëskryeministrja Gërvalla është optimiste që vendi nuk do të ballafaqohet përsëri me bllokada për formimin e institucioneve të reja.
Ajo tha se duhet të respektohet mesazhi i qytetarëve.
“Nuk i kemi ende rezultatet përfundimtare, kur ti kemi rezultatet e certifikuara do të shohim se cilat janë mundësitë që na ofrohen. Unë shpresoj që nuk do të ballafaqohemi edhe njëherë me bllokadat e pakuptimta dhe me bllokim të institucioneve të shtetit, por siç e keni parë edhe para zgjedhjeve të fundit nuk ka qenë në dorën tonë, sepse ofertat kanë qenë më shumë se gjeneroze, mirëpo janë refuzuar. Shpresoj që mandati i fuqishëm i qytetarëve këtë herë të respektohet”, tha Gërvalla.
Më tej Gërvalla tha se nuk është diskutuar as për vija të kuqe e koalicione.
“Nuk diskutojmë ne as për vija të kuqe, e as për koalicione të cilat do ti shohim pasi të kemi marrë rezultatin përfundimtarë të certifikuar, me qëllim që ta dimë cili është mesazhi i qytetarëve. Ne përsëri kemi fituar zgjedhjet bindshëm, përsëri kemi më shumë vota se të gjitha partitë shqiptare tjera, prandaj nuk shoh asnjë arsyeje. Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë më e vogël, ky është një mesazh të cilin duhet ta analizojmë dhe kuptojmë drejtë të gjithë ne që jemi aktiv në skenën politike”, tha ajo.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka arrit 45.25 për qind ose 339,348 vota (51 mandate).
PDK-ja është renditur e dyta, me 21% ose 151,595 vota (23 mandate). E treta LDK-ja me 17.19% ose 128,891 vota (19 mandate) dhe AAK e katërta me 6.94% ose 52,086 vota (7 mandate).


