Maqedonci: Besimi i qytetarëve ndaj FSK-së është nder, por edhe përgjegjësi

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka vlerësuar rezultatet e Anketës Rajonale WeBalkans 2026, sipas së cilës Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë institucioni më i besueshëm në vend, me 87.4 për qind të besimit të qytetarëve.Në një reagim publik, Maqedonci tha se ky rezultat përbën një vlerësim të rëndësishëm për punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e ushtrisë së Kosovës, duke theksuar se FSK-ja është gjithashtu forca ushtarake me nivelin më të lartë të besueshmërisë qytetare në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

Ai falënderoi qytetarët për besimin e treguar ndaj FSK-së, duke theksuar se ky vlerësim dëshmon se investimet në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, ngritjen profesionale të personelit dhe ndërtimin e një force moderne po japin rezultatet e pritura.

Maqedonci shprehu mirënjohje për të gjithë ushtarakët, nënoficerët, oficerët dhe personelin civil të FSK-së për angazhimin e tyre të përditshëm, ndërsa vlerësoi edhe rolin e komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe Shtabit të Përgjithshëm në udhëheqjen dhe avancimin e forcës.

Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes do të vazhdojë të mbështesë transformimin dhe modernizimin e FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s dhe objektivat strategjike të Republikës së Kosovës.

“Besimi i qytetarëve është nder i madh, por, mbi të gjitha, është përgjegjësi. Ai na motivon të vazhdojmë me edhe më shumë vendosmëri në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, rritjen e gatishmërisë operacionale dhe avancimin e partneriteteve me aleatët tanë, në shërbim të sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjes së Republikës së Kosovës.”

Ministri theksoi se Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të vazhdojnë punën për zhvillimin e mëtejshëm të ushtrisë, duke synuar një Kosovë më të sigurt dhe përmbushjen e aspiratës strategjike të vendit për anëtarësim në NATO./teve1.info

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU