Senegali dhe Iraku do të përballen në Toronto në ndeshjen e fundit të Grupit I të Kupës së Botës 2026, në një duel ku vetëm fitorja i mban gjallë në garën për kualifikim në fazën me eliminim direkt.
Të dyja kombëtaret ende nuk kanë siguruar pikë në këtë Botëror dhe tri pikët janë jetike për të ruajtur shpresat për t’u renditur mes tetë skuadrave më të mira të vendeve të treta.
Senegali ka pësuar dy humbje radhazi, 3-1 ndaj Francës dhe 3-2 ndaj Norvegjisë. “Luanët e Terangës” synojnë të shmangin një eliminim pa pikë dhe mbështeten te cilësia e repartit ofensiv për të rikthyer besimin.
Edhe Iraku vjen pas humbjeve 4-1 ndaj Norvegjisë dhe 3-0 ndaj Francës. Përfaqësuesja aziatike ka shfaqur dobësi në mbrojtje dhe, edhe në rast fitoreje, mund të mbetet jashtë për shkak të golavarazhit të pafavorshëm.
Kjo do të jetë përballja e parë mes dy kombëtareve. Statistikat favorizojnë Senegalin, i cili nuk ka humbur asnjëherë në ndeshjet e Botërorit kundër skuadrave aziatike.
Vëmendja te Senegali do të jetë te Ismaila Sarr, autor i dy golave ndaj Norvegjisë, ndërsa Iraku shpreson te Ali Yousif për të gjetur rrugën e golit.
Të dyja ekipet kanë probleme me mungesat. Senegali nuk do ta ketë në dispozicion portierin Édouard Mendy, ndërsa te Iraku mbetet në dyshim Aymen Hussein.
Në letër, Senegali konsiderohet favorit falë cilësisë së skuadrës dhe potencialit më të madh në fazën sulmuese, por presioni për rezultat pritet ta bëjë këtë një nga sfidat më interesante të xhiros së fundit të fazës së grupeve./Raporto24/


