Mëngjesin e sotëm, ka ndërruar jetë zyrtari policor, Rexhep Gashi, i cili u godit në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vdekjen e tij.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur rreth orës 02:40, kur një automjet i drejtuar nga një shtetas i Republikës së Shqipërisë ka goditur zyrtarin policor.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitë relevante dhe ekipi mjekësor, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.
“Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari dërgohet në mbajtje”,thuhet në raportin e policisë.
Policia ka bërë të ditur se rasti është cilësuar si “aksident trafiku me fatalitet”, ndërsa vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.





