E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka rikonfirmuar mbështetjen amerikane për Kosovën, duke theksuar se Uashingtoni do të vazhdojë të jetë partner i vendit në forcimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e bashkëpunimit në fusha strategjike.
Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e organizuar me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, Prattipati tha se marrëdhënia mes SHBA-së dhe Kosovës është ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë dhe besim në një të ardhme të sigurt dhe me më shumë mundësi, raporton IndeksOnline.
“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të Kosovës. Ne qëndrojmë në krah të Kosovës në përpjekjet e saj për të ndërtuar institucione të forta demokratike. Ne qëndrojmë në krah të Kosovës ndërsa ajo punon për të krijuar një ekonomi të begatë që tërheq investime dhe zgjeron mundësitë për të gjithë qytetarët e saj”, deklaroi ajo.
Prattipati nënvizoi se SHBA pret me interes forcimin e mëtejshëm të partneritetit me Kosovën, duke veçuar rritjen e tregtisë, investimet, mbrojtjen dhe energjinë si fusha me potencial të madh bashkëpunimi.
Sipas saj, një Kosovë e qëndrueshme, demokratike dhe e begatë është në interes jo vetëm të qytetarëve të saj, por edhe të Evropës dhe komunitetit ndërkombëtar.
Diplomatja amerikane vlerësoi gjithashtu kontributin e Kosovës në partneritetin me SHBA-në, duke përmendur pjesëmarrjen në misione ndërkombëtare, investimet në arsim dhe teknologji, si dhe angazhimin në programet e shkëmbimit akademik.
“Pak miqësi e pasqyrojnë atë frymë më qartë sesa ajo midis Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës – një marrëdhënie e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë dhe një besim të përbashkët në një të ardhme të përcaktuar nga mundësitë dhe siguria” u shpreh ajo.
Ky është fjalimi i plotë i Prattipatit:


