Prokuroria Speciale bashkë me Policinë e Kosovës po zhvillojnë një aksion të gjerë, në kuadër të të cilit janë bastisur disa lokacione.
Sipas raportimeve të deritanishme, dyshohet për shmangie të tatimit, përdorim të kompanive fiktive dhe për shpëlarje parash.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka konfirmuar lajmin, por pa dhënë detaje shtesë.
“Mund të konfirmojmë operacionin policor. Për më shumë detaje, do t’ju njoftojmë përmes një komunikate të përbashkët me Policinë e Kosovës”, ka thënë ajo për KosovaPress.
Një nga bastisjet besohet të jetë kryer edhe në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë, ku ekipi i KosovaPress ka filmuar pjesëtarë të Njësisë Speciale. Porse, nga Policia e Kosovës nuk kanë konfirmuar lidhshmërinë e këtyre bastisjeve me prezencën e Njësisë Speciale në “Rrustem Staatovci”.


