Tre persona janë përfshirë në një përleshje të armatosur që ndodhi të mërkurën rreth orës 13:40 në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë, ndërsa si pasojë e të shtënave me armë zjarri janë plagosur katër persona, përfshirë një kalimtar të rastit.
Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ka njoftuar se tre nga të plagosurit janë persona të përfshirë drejtpërdrejt në incident, ndërsa i katërti është një qytetar që ka rastisur në vendin e ngjarjes.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, personat e përfshirë në përleshje dyshohet se kanë lidhje familjare, konkretisht bëhet fjalë për një nip dhe dajë.
“Motiv i dyshuar i rastit konsiderohet një mosmarrëveshje e mëhershme mes tyre.
Prokuroria Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda njofton opinionin publik se sot, rreth orës 13:40, në sheshin ‘’Bulevardi i Dëshmorëve’’ në Komunën e Podujevës, ka ndodhur një përleshje e armatosur ndërmjet tre (3) personave. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, lëndime trupore kanë pësuar tre (3) persona të përfshirë në ngjarje, si dhe një kalimtar i rastit.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, dyshohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë persona që kanë lidhje familjare (nip dhe dajë), ndërsa motivi i dyshuar i kësaj çështje lidhet me një mosmarrëveshje paraprake.
Menjëherë pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe në bashkëpunim me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.
Me këto veprime të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘’Vrasja e rëndë në tentativë’’, nga neni 173 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Personat e lënduar me armë zjarri, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim të plotë më Policinë e Kosovës, është duke vazhduar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje”, thuhet në njoftim.


