Kryeministri në detyrë Kurti mori pjesë në ceremoninë e shpalljes së përfituesve të Skemës së Granteve për Investime

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e shpalljes së përfituesve të Skemës së Granteve për Investime – LOT 1, në kuadër të projektit “Mbështetje për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve”, organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me GIZ-in.

Duke e cilësuar si një ditë të rëndësishme për bujqësinë, për ekonominë rurale dhe Republikën e Kosovës në përgjithësi, kryeministri Kurti tha se për Qeverinë e Republikës së Kosovës, bujqësia nuk është vetëm një sektor tradicional, por është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit e të rritjes ekonomike, të sigurisë ushqimore e të ekonomisë prodhuese.

“Për ne bujqësia është edhe çështje e sovranitetit ushqimor. Çdo fermë që rrit prodhimin vendor e bën Kosovën më konkurruese, më pak të varur nga importet dhe më të përgatitur për sfidat ekonomike të së ardhmes”, tha kryeministri në detyrë Kurti.

Kryeministri më tej tha se interesimi për këtë program ka qenë jashtëzakonisht i madh.

“Mbi 1200 fermerë dhe ndërmarrës rural aplikuan, ndërsa pas një procesi transparent dhe konkurrues janë përzgjedhur 643 përfitues. 556 në LOT-in e parë, 65 në LOT-in e dytë dhe 22 në LOT-in e tretë. Këto nuk janë vetëm shifra, janë 643 investime në ekonominë e Kosovës, qindra biznese të cilat do të modernizohen, vende të reja të punës që do të krijohen dhe familje të cilat do të kenë më shumë mirëqenie e siguri ekonomike”, vlerësoi ai.

Kryeministri në detyrë Kurti ofroi mbështetje për standardizim dhe certifikim, duke thënë se cilësia dhe ligjshmëria janë hovi i ardhshëm i shtimit të eksporteve, i zëvendësimit të importeve dhe i konkurrueshmërisë evropiane.

“Siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve. Që të bëjmë sa më pak, mundësisht aspak, analiza pacientesh në spitale është ë nevojshme të kemi sa më shumë, gjithnjë e më shumë, analiza ushqimesh që na servohen”, theksoi ai.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU