LDK del me pesë pika pas mbledhjes së sotme

Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së sotme ka mbajtur mbledhjen e kryesisë

E pas mbledhje së kryesisë Lidhja Demokratike e Kosovës ka dal me pesë pika kryesore lidhur me zhvillimet e fundit në vend dhe brenda LDK-së.

Komunikata e Plotë:

Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas diskutimit mbi rezultatin zgjedhor, zhvillimet e fundit brenda partisë dhe situatën politike në vend, deklaron:

1. Kryesia Qendrore vlerëson angazhimin e strukturave, kandidatëve, aktivistëve dhe të gjithë anëtarësisë së LDK-së gjatë procesit zgjedhor. Rritja e shënuar në një periudhë relativisht të shkurtër vlerësohet nga Kryesia e LDK-së. Njëkohësisht, Kryesia kërkon zhvillimin e analizave të thella në të gjitha nivelet, me qëllim të evidentimit të hapësirave për përmirësim dhe forcimit të mëtejmë të organizimit dhe veprimit politik.

2. Kryesia Qendrore vlerëson se rezultati zgjedhor, ndonëse shënon rritje të LDK-së, nuk përmbush synimet dhe pritjet tona politike. Prandaj, përgjegjësia për të vazhduar punën, për të adresuar mangësitë dhe për ta shndërruar këtë rritje në besim edhe më të gjerë qytetar, është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha niveleve drejtuese dhe organizative të partisë.

3. Kryesia Qendrore shpreh mbështetjen e plotë për Kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, në ushtrimin e mandatit për udhëheqjen e proceseve politike e organizative të partisë; si dhe procesin e formimit të institucioneve të Republikës nëpërmjet diskutimeve me partitë e tjera parlamentare.

4. LDK i ka institucionet, Statutin dhe mekanizmat e saj demokratikë. Kryesia mbështetë opinionin e Kolegjiumit të Degëve. Zgjedhjet e brendshme të LDK-së mbahen në afat të rregullt. Çdo çështje duhet të trajtohet në respekt të plotë të institucioneve partiake dhe të vullnetit të lirë të anëtarësisë. Kryesia Qendrore riafirmon se vendimmarrja demokratike dhe respektimi i shumicës mbeten parime të panegociueshme të organizimit tonë politik.

5. Kryesia Qendrore fton të gjithë anëtarët, veprimtarët dhe strukturat e LDK-së që energjinë dhe angazhimin e tyre ta drejtojnë drejt forcimit të partisë, rritjes së besimit qytetar dhe përmbushjes së përgjegjësive që vendi pret nga ne. Kosova ka nevojë për një LDK të bashkuar, të qëndrueshme dhe të përqendruar në ofrimin e alternativës së saj politike.

LDK është më e madhe se secili prej nesh. Përgjegjësia jonë e përbashkët është ta ruajmë të bashkuar, ta forcojmë dhe ta çojmë përpara, me besim në anëtarësinë tonë, me respekt për demokracinë dhe me përkushtim ndaj Republikës së Kosovës.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU