Mbyllen rreth 10 biznese të kriptovalutave në Kosovë, nis procesi i licencimit nga BQK

Rreth 10 biznese që ushtrojnë veprimtari në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve janë mbyllur gjatë kësaj jave nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT).

Ky aksion është zhvilluar në kuadër të planit operacional për mbikëqyrjen e tregut, i cili parasheh inspektimin e mbi 268 bizneseve të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.

Ndërhyrjet e inspektorëve kanë ndodhur në të njëjtën javë kur ka nisur edhe procesi i licencimit të operatorëve të kësaj fushe, bazuar në ligjin për kriptovalutat.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) nuk ka dhënë detaje për procesin e licencimit, duke theksuar se procedurat janë ende në zhvillim.

“Duke pasur parasysh se disa procese janë ende në zhvillim dhe në fazë finale, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk preferon të prononcohet në këtë fazë. Megjithatë, pas përfundimit të procedurave përkatëse, do t’ju informojmë me kohë për çdo zhvillim relevant”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Për t’u licencuar nga BQK-ja, kompanitë duhet fillimisht të regjistrojnë biznesin, të krijojnë bordin drejtues, të plotësojnë kriteret për themeluesit dhe menaxhmentin, si dhe të kryejnë pagesën e aplikimit dhe depozitimin e kërkuar financiar.

CEO i Crypto Albanian, Labinot Bajrami, ka bërë të ditur se procesi kërkon një pagesë prej 5 mijë eurosh për aplikim, ndërsa kompanitë duhet të kenë edhe 160 mijë euro depozitë në llogarinë bankare.

Sipas tij, kjo shumë shërben si garanci për mbrojtjen e klientëve në rast të ndonjë dëmi apo mashtrimi të mundshëm nga operatorët.

“Prej marsit të këtij viti kemi një ligj të veçantë për kriptovalutat, i bazuar në rregulloren MiCA të Bashkimit Evropian. BQK-ja ka filluar seriozisht procesin e licencimit të këmbimoreve që operojnë në Kosovë dhe shumica e tyre tashmë janë në proces”, ka thënë Bajrami.

Megjithatë, njohës të kësaj fushe vlerësojnë se ligji për kriptovalutat ka nevojë për përditësime, veçanërisht në aspektin e tatimit, edukimit financiar dhe ndarjes së aktiviteteve financiare nga ato të marketingut.

Bajrami ka theksuar se disa dispozita të ligjit mund ta vështirësojnë hyrjen e kompanive të mëdha ndërkombëtare të kriptovalutave në tregun kosovar.

“Me disa nene që janë aty, kjo e vështirëson pak qasjen e kompanive të mëdha në Kosovë. Nëse ligji përmirësohet dhe krijohen lehtësime për aktivitetet edukative dhe të marketingut, Kosova mund të mbetet një vend shumë i përshtatshëm për zhvillimin e këtij sektori”, ka deklaruar ai.

Edhe eksperti i kësaj fushe, Veton Brahimi, ka vlerësuar se ligji aktual është një hap i rëndësishëm, por kërkon ndryshime, sidomos në pjesën e tatimit dhe përshtatjes me zhvillimet e shpejta teknologjike.

“Ligji për kriptovalutat në Kosovë është miratuar në vitin 2024 dhe kryesisht rregullon operatorët dhe mbron konsumatorët. Megjithatë, duhet të përditësohet në disa pjesë, pasi teknologjia po zhvillohet më shpejt sesa proceset ligjore”, ka thënë Brahimi.

Sipas Bajramit, Kosova renditet ndër vendet me interesimin më të madh për kriptovaluta në rajon dhe Evropë.

“Kosova është ndër vendet e para në rajon për interesimin dhe përdorimin e kriptovalutave. Sipas statistikave që kemi, rreth 35 për qind e qytetarëve përdorin ose tregtojnë me kripto, që është një shifër shumë e lartë”, ka deklaruar ai.

KosovaPress ka tentuar të kontaktojë edhe pronarë të bizneseve të kësaj fushe, por në mungesë të licencës ata kanë refuzuar të deklarohen publikisht/Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU