KB Drita ka bërë të ditur përmes një deklarate zyrtare se nuk do të licencohet për garim në Superligën e Kosovës, pavarësisht se e kishte siguruar promovimin me meritë sportive.
Klubi thekson se arsyeja e moslicencimit nuk lidhet me rezultatet apo organizimin, por me mungesën e një palestre të licencuar për zhvillimin e ndeshjeve si vendas.
Sipas deklaratës, palestra e qytetit vazhdon të jetë në renovim, ndërsa përpjekjet për të gjetur një alternativë në komuna të tjera nuk kanë dhënë rezultat.
KB Drita e cilësoi situatën si një zhgënjim të madh dhe një dështim të institucioneve për të mbështetur sportin, duke theksuar se puna dhe suksesi sportiv nuk u shpërblyen për shkak të mungesës së infrastrukturës.
Në fund, klubi falënderoi lojtarët, stafin teknik, sponsorët dhe tifozët për mbështetjen, duke premtuar se do të vazhdojë punën me shpresën që në të ardhmen asnjë klub tjetër të mos përballet me një situatë të tillë.
KosovaPress


