Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së bazës operative të Wizz Air në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e vendimit të Wizz Air, për ta vendosur bazën e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
“Vendimi i Wizz Air për ta vendosur bazën e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si vend i besueshëm për investime, me perspektivë të qartë zhvillimi, si dhe me potencial të madh për t’u integruar edhe më shumë në rrjetet evropiane të transportit, të tregtisë dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve”, tha kryeministri Kurti.

Ai më tej shtoi se suksesi i këtillë nuk ka ardhur rastësisht, por është siç tha kryeministri rezultat i një pune të përbashkët, i përkushtimit institucional, i bashkëpunimit të ngushtë me operatorët ekonomikë e me partnerët tanë ndërkombëtarë, i shtimit të numrit të pasagjerëve, si dhe i qeverisjes së mirë që e ka ngjallur dhe po e rritë besimin në potencialin që shteti ynë e ka.
“Sa më shumë destinacione, operatorë dhe konkurrencë të drejtë të kemi në treg, aq më të përballueshme bëhen biletat për qytetarët tanë. E kur çmimet ulen, familjet takohen më shpesh, studentët udhëtojnë më lehtë, ndërkaq bizneset krijojnë bashkëpunime të reja”, tha kryeministri në detyrë Kurti.








