Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 22 korrikun, ditën kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj e cilësoi këtë vendim si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
“Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 u konfirmua nga GjND më 22 Korrik 2010, e cila vulosi shtetësinë dhe të drejtën tonë të fituar me luftën çlirimtare, një hap ky i rëndësishëm drejt afirmimit të shtetit tonë sovran”, ka shkruar Haradinaj.
Ai theksoi se Kosova duhet të vazhdojë rrugën e saj euroatlantike, duke thelluar partneritetin me aleatët ndërkombëtarë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Haradinajt, ndjekja e vlerave perëndimore dhe forcimi i marrëdhënieve me SHBA-në mbeten rruga e vetme për realizimin e objektivave strategjike të Kosovës si shtet sovran.


