Një dron i paidentifikuar është rrëzuar nga avionët luftarakë të NATO-s pasi kishte hyrë në hapësirën ajrore të Rumanisë më 24 korrik 2026.
Sipas njoftimit të NATO-s, gjatë orëve të mëngjesit dy avionë rumunë F-16 nga baza ajrore Fetești dhe dy avionë italianë Eurofighter nga baza ajrore Mihail Kogălniceanu u ngritën në ajër nën komandën dhe kontrollin e NATO-s për të identifikuar një mjet ajror pa pilot që po fluturonte pranë hapësirës ajrore rumune.
Pas identifikimit të dronit dhe hyrjes së tij në territorin ajror të Rumanisë, avionët e NATO-s morën autorizimin për ndërhyrje dhe e rrëzuan mjetin në hapësirën ajrore rumune.
NATO ka theksuar se ky operacion i përbashkët shumëkombësh dëshmon gatishmërinë e Aleancës për t’u përgjigjur ndaj kërcënimeve të mundshme ajrore në çdo kohë, me qëllim mbrojtjen e territorit dhe qytetarëve.
Rrëzimi i dronit vjen në kohën kur NATO, Rumania dhe vendet e tjera aleate po rrisin kapacitetet e mbrojtjes ajrore, përfshirë sistemet kundër dronëve. Rumania ka blerë edhe sistemin MEROPS, i projektuar për interceptimin e mjeteve të vogla ajrore pa pilot.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar, ndërsa NATO ka bërë të ditur se është në kontakt të ngushtë me autoritetet rumune.





