Qytetarë të Podujevës kanë ngritur shqetësime për moslargimin e mbeturinave në disa zona të qytetit, duke bërë të ditur se në disa raste mbeturinat nuk janë larguar për më shumë se dy javë.
Sipas ankesave të banorëve, grumbullimi i mbeturinave është bërë problem serioz, ndërsa vonesat në largimin e tyre po rrisin shqetësimin për higjienën publike dhe rrezikun e përhapjes së ndonjë sëmundjeje,shkruan Raporto24
Problemi është shfaqur pas ndryshimeve në organizimin e shërbimit të mbledhjes së mbeturinave në Komunën e Podujevës. Kompania private “Natyra” SHPK ka marrë përsipër shërbimin e grumbullimit të mbeturinave në disa fshatra të komunës, ndërsa në qytetin e Podujevës vazhdon të operojë Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”.
Banorët kërkojnë nga institucionet komunale dhe kompanitë përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më shpejt dhe të sigurojnë një shërbim të rregullt, pasi situata me mbeturinat po krijon shqetësime për komunitetin.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se cilat janë arsyet konkrete të vonesave në largimin e mbeturinave në zonat ku shërbimin e kryen kompania “Pastrimi”./Raporto24/






