Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një përleshjeje që ka eskaluar me përdorim të armës së zjarrit në Podujevë
Sipas njoftimit të policisë, rasti ka ndodhur më 26 korrik 2026, rreth orës 18:50, ku është raportuar për një përleshje fizike mes disa personave. Gjatë incidentit, njëri nga të dyshuarit ka shtënë me armë zjarri, duke plagosur dy meshkuj kosovarë.
Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar dy gëzhoja dhe tri automjete, të cilat do të shërbejnë si prova në procedurën hetimore.
Me vendim të prokurorit, gjashtë persona të dyshuar janë arrestuar dhe, pas intervistimit, janë dërguar në mbajtje. Ndërkohë, personi i dyshuar se ka shtënë me armë zjarri ndodhet në kërkim.
Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vazhdim.
“Është raportuar për një përleshje fizike në mes të disa personave, ku njëri nga të dyshuarit mashkull kosovar dyshohet se ka shtënë me armë zjarri, ku janë plagosur dy meshkuj kosovarë. Të lënduarit janë dërguar në QKUK. Në vendngjarje janë sekuestruar dy gëzhoja dhe tri automjete. Me vendim të prokurorit janë arrestuar 6 të dyshuar dhe pas intervistimit dërgohen në mbajtje. I dyshuari që ka shtënë me armë zjarri është në kërkim policor”, thuhet në raportin e policisë së Kosovës





