Punimet në magjistralen Podujevë-Prishtinë kanë nisur në vitin 2016. Prej atëherë e deri më sot është arritur që të kryhen punimet nga Podujeva deri në afërsi të Lluzhanit. E tëra kjo ka marrë kohë prej gjashtë vitesh, shkruan Raporto24.
E përveç zgjatjes së punimeve në këtë magjistrale, ankesa të shumta ka pasur sidmos edhe në cilësinë e kryerjes së punëve në të.
Për këtë ka pasur angkesa të shumta, marrë parasysh faktin se sa është e ngarkuar kjo magjistrale.
Megjithatë, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, sot ka njoftuar për përfundimin e shpronësimeve dhe hapjen e afatit për pranimin e tendereve për ndërtimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë.
Sipas ministrit Aliu, pritet që puna e ndërtimeve të vijojë sa më shpejt.
“Plot 38 milionë euro janë ndarë për përfundimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë. Tani pasi që ka përfunduar elaborati i shpronësimit dhe që kemi marre deklaratën për disponueshmërinë e mjeteve nga MFPT, sot është hapur afati për pranimin e tenderëve për ndërtimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë. Presim që sa më shpejtë të vijojë puna për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, një investim infrastrukturor me rëndësi madhore për të gjithë qytetarët e Kosovës, qarkullimin rrugor në përgjithësi, por dhe për zhvillimin ekonomik të vendit” njofton ministri Aliu.
Ndonëse ky lajm është i shumëpritur, megjithatë ka diçka që duhet sqaruar. E kjo ka të bëj pikërisht me faktin se pse ka ndryshuar kahja e punimeve në këtë rrugë. Ndonëse kishte filluar nga Podujeva në drejtim të Prishtinës, tashmë me rinisjen e punimeve në të bëhet e ditur se punimet do të nisin nga Prishtina në Besi dhe në drejtim të Podujevës.
Është tejet e rëndësishme të dihet fakti se pse ka ndryshuar kjo, gjë për të cilën ministria dhe as vet ministri Aliu nuk ka dhënë ndonjë sqarim në këtë drejtim.