Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, ka realizuar një aksion në tre lokacione të ndryshme, ku janë arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Sipas Prokurorisë, të arrestuarit me inicialet G.Th., E.G. dhe Sh.Sh. dyshohen se kanë falsifikuar dokumente të ndryshme identifikimi, përfshirë letërnjoftime, patentë shoferi dhe pasaporta të disa shteteve evropiane.
Gjatë hetimeve janë zbatuar masa të veçanta hetimore, përmes të cilave janë siguruar prova materiale, duke përfshirë komunikime në rrjetet sociale, kontakte ndërmjet të dyshuarve dhe dokumente të falsifikuara.
Sipas të dhënave të deritanishme, dokumentet e falsifikuara u siguroheshin personave të kërkuar me fletarrest ndërkombëtar, të cilët dyshohet se synonin t’i përdornin ato për veprimtari të kundërligjshme. Për këto dokumente, sipas Prokurorisë, paguheshin shuma deri në 15 mijë euro.





