Albena Reshitaj i bashkohet Vjosa Osmani në rrugëtimin politik

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një shkrimi emocional dhe frymëzues në Facebook, ka shprehur mbështetjen e saj për Albena Reshitaj, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e saj ndër vite në jetën politike dhe institucionale të vendit.
Osmani ka kujtuar bashkëpunimin shumëvjeçar me Reshitajn, të cilin e përshkroi si një rrugëtim të ndërtuar mes sfidash dhe suksesesh të përbashkëta, duke theksuar se Albena Reshitaj ka dëshmuar vazhdimisht që është një grua parimore, me bindje të forta politike dhe e palëkundur në mbrojtje të interesit të Kosovës.
Ajo rikujtoi edhe momentin e zgjedhjes së saj presidente në vitin 2021, kur sipas Osmanit, vota vendimtare e Reshitajt krijoi kuorumin e nevojshëm dhe bllokoi ndikimin e Listës Serbe në krijimin e institucioneve të Kosovës.
“Albena dëshmoi se politika mund të ndërtohet mbi dinjitet, integritet dhe vizion për Kosovën”, shkroi Osmani, duke shtuar se vendi ka nevojë për njerëz që dinë të bashkëpunojnë dhe jo për ata që synojnë përçarje e shkatërrim.
Në mesazhin e saj, Osmani vlerësoi edhe prejardhjen patriotike të Reshitajt, si mbesë e Ramë Bllaca, duke theksuar se ajo do të vazhdojë të mbrojë kauzat për të cilat janë bërë sakrifica ndër breza.
Në fund, Osmani u bëri thirrje qytetarëve që të vlerësojnë parimësinë, guximin dhe profesionalizmin e Albena Reshitajt, duke përmbyllur mesazhin me urimin: “Na priftë e mbara.”/Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU