APK shënon 20-vjetorin, Buleshkaj: Synimi ynë është të ndërtojmë besimin e qytetarëve

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) organizoi ceremoninë përmbyllëse të “Javës së Agjencisë”, me rastin e 20-vjetorit të themelimit, nën moton “20 vjet transparencë dhe integritet, duke rritur besimin, duke parandaluar korrupsionin”.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, tha se institucioni që drejton nuk duhet të jetë vetëm një organ administrativ, por një institucion që ndërton besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ai theksoi se gjatë viteve të fundit agjencia ka përshpejtuar transformimin digjital, ka zgjeruar shërbimet elektronike, ka rritur transparencën dhe ka forcuar mekanizmat për deklarimin e pasurisë, sinjalizimin, menaxhimin e konfliktit të interesit, dhuratat zyrtare, mbrojtjen e sinjalizuesve dhe vlerësimin e rrezikut nga korrupsioni.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se 20-vjetori i Agjencisë është dëshmi e pjekurisë institucionale, por theksoi se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e vazhdueshme.

Sipas saj, korrupsioni ndryshon vazhdimisht formë dhe përpiqet të depërtojë aty ku institucionet dobësohen, ndaj nevojitet vigjilencë e përhershme.

Haxhiu shtoi se korrupsioni nuk dëmton vetëm financat publike, por cenon edhe drejtësinë, mundësitë dhe besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU