Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka mirëpritur nënshkrimin e kontratës për realizimin e autostradës Shkup – Bllacë, duke e cilësuar atë si një projekt me rëndësi të veçantë për lidhjen infrastrukturore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Basha ka theksuar se ky investim përfaqëson vazhdimin e një korridori të rëndësishëm rajonal dhe një hap të rëndësishëm drejt kompletimit të njërit prej akseve më strategjike të transportit në rajon.
Nënshkrimi i kontratës për realizimin e autostradës Shkup – Bllacë është lajm i mirë, sepse ky projekt ka rëndësi të veçantë për lidhjen infrastrukturore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Basha.
Sipas tij, realizimi i këtij projekti do të ndikojë në lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
“Realizimi i këtij investimi do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe të mallrave, do të forcojë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillim, investime dhe integrim rajonal”, ka theksuar ai.
Ministri në detyrë ka shprehur gjithashtu pritjen që punimet të zhvillohen sipas planit dhe projekti të përfundojë brenda afateve të parapara.
“Uroj që punimet të zhvillohen sipas planit dhe projekti të përfundojë brenda afateve të parapara, në mënyrë që qytetarët e të dy vendeve tona të përfitojnë nga kjo lidhje moderne”, ka deklaruar Basha.
Në fund të reagimit, ai ka vlerësuar se investimet në infrastrukturën rajonale ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe afrimin e vendeve të rajonit.
Infrastruktura nuk njeh kufij, andaj çdo investim që rrit ndërlidhjen rajonale, i afron qytetarët, fuqizon ekonomitë tona dhe kontribuon për një rajon më të zhvilluar e më të integruar”, ka përfunduar ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit. /Telegrafi/


