Pas 12 viteve në Evropë, Casemiro i thotë lamtumirë futbollit elitar.
Inter Miami ka njoftuar të mërkurën firmën me brazilianin 34-vjeçar, i cili vjen si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me Manchester United. Kontrata është deri në 2027 me opsion vazhdimi deri në 2029.
“Ajo që më motivon më shumë është dëshira për të vazhduar të fitoj dhe të zhvillohem. Projekti që më prezantoi klubi dhe përpjekja për të më sjellë këtu do të thotë shumë për mua. Mezi pres ta shpërblej jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje,” tha Casemiro.
Në Evropë që nga viti 2012 nga Sao Paulo, ai ka luajtur për Real Madrid, Porto dhe Manchester United.
Me Brazilin ka 91 ndeshje dhe sapo luajti në Kupën e Botës 2026, e treta në karrierë pas 2018 dhe 2022.
Pronari Jorge Mas e quajti transferimin pasqyrë të vizionit të klubit:
“Kemi ndërtuar një klub global me vizionin për t’u bërë jo vetëm më të mirët në SHBA, por edhe pikë reference globale. Casemiro është gjithçka që përfaqëson ky klub: lidership, mentalitet fituesi.”
Edhe David Beckham reagoi:
“Jam shumë krenar që mirëpres Casemiron dhe familjen e tij. Është një fitues që ka arritur shumë dhe jam i lumtur që zgjodhi Miami-n si shtëpinë e tij të radhës.”
Tashmë ish-rivali i Barcelonës, Casemiro do të ndajë dhomën e zhveshjes me Lionel Messin dhe Luis Suarezin te kampionët në fuqi të MLS, që janë në vendin e dytë në Lindje dhe rikthehen pas pushimit të Botërorit kundër Chicago Fire.





