Përfaqësuesja e Kosovës U21 ka mësuar sot (e enjte) kundërshtarët për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian 2027 që do të mbahet në Shqipëri dhe Serbi.
Dardanët e Afrim Tovërlanit janë shortuar në grupin A, ku në grup është Spanja si kundërshtari më i vështirë, por edhe Rumania dhe Finlanda, si dy ekipe të forta.
Qipro dhe San Marino konsiderohen si kundërshtarë më të lehtë në letër, ku Kosova do të kërkojë maksimumin e pikëve.
Megjithatë, ajo që vërehet në këtë short është se Kosova do të ndeshet me tri shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë tonë të shpallur me 17 shkurt 2008, ku dy nga këto shtete disa herë janë treguar edhe ‘armike’, shkruan Telegrafi.
Është fjala për Rumaninë, një kundërshtar i shpeshtë në vitet e fundit, ku problemet kanë qenë të shumta dhe Qipro që është treguar gjithashtu jo-mikpritëse ndaj ekipit tonë kombëtar.
“Kosova është Serbi”, ishte pankarta e vendosur nga tifozët rumun në ndeshjen e luajtur më 12 shtator në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, ndeshja e cila u pat ndërpre për 50 minuta.
Përveç kësaj ndeshje, lojtarët e Kosovës u përballen gjithashtu me probleme në ndeshjen e nëntorit 2024 në kuadër të Ligës së Kombeve, ndeshja e cila u ndërpre në rezultatin 0-0, shkaku i largimit të lojtarëve të Kosovës nga fusha, pas sjelljeve raciste.

Pankarta e tifozëve rumun
E njëjta ndodhi edhe në Qipro në ndeshjen e Ligës së Kombeve në shtator, ndeshje e cila ndërpre në pjesën e parë për disa minuta.
Tifozët qipriot u shfaqën pankartat “Kosova është Serbi” dhe u desh të ndërhynte sigurimi për të larguar ato nga tribuna, për të nisur ndeshja.

Pankarta e tifozëve qipriot
Në anën tjetër, Spanja është vetëm një shtet që nuk na njeh, por në ndeshjet ndaj tyre asnjëherë nuk ka pasur incidente të theksuara, edhe në perballjet e ekipeve të para, por edhe të moshave sa herë që i kemi pasur kundërshtar.
Ndryshe, ekipet për kualifikimet në Euro 2027 janë ndarë në 9 grupe dhe fituesit e tyre, bashkë me skuadrën e dytë më të mirë gjatë kualifikuesve, do t’i bashkohen Shqipërisë dhe Serbisë të cilat janë kualifikuar automatikisht për fazën finale të turneut si mikpritëse të këtij Kampionati Evropian.
Tetë skuadrat e tjera të vendeve të dyta, do të përballen në ‘play-off’ për katër vendet e mbetura për fazën finale e cila zhvillohet me 16 ekipe.

Ndeshjet kualifikuese të Euro 2027 do të fillojnë me 17 mars 2025, ndërsa ato të fundit do të zhvillohet me 6 tetor 2026.
Kosova U-21 këto kualifikuese i fillon me datë 5 shtator në ndeshjen në udhëtim te Rumania, ndërsa i përfundon me 6 tetor në shtëpi ndaj Finlandës. /Telegrafi/


