Didier Deschamps e ka mbyllur zyrtarisht epokën e tij në stolin e Francës.
Pas humbjes spektakolare 6-4 ndaj Anglisë në ndeshjen për vendin e tretë të Kupës së Botës 2026, trajneri legjendar doli për herë të fundit në konferencë për shtyp si përzgjedhës i “Les Bleus”, duke i dhënë fund një aventure 14-vjeçare.
I emocionuar, por njëkohësisht krenar, Deschamps e pranoi se dita ishte e veçantë dhe se dëshironte ta mbyllte aventurën me një fitore.
“Ka qenë një ditë shumë e veçantë. Me stafin ishim të përqendruar vetëm te përgatitja e ndeshjes. Do të kishte qenë më mirë ta përfundonim në vendin e tretë, por për fat të keq nuk ia dolëm pas një pjese të parë katastrofike. U zemërova pak, por jam krenar për reagimin e skuadrës. Ishim shumë pranë përmbysjes së një mali që dukej i pamundur,” deklaroi ai.
Më pas, trajneri francez foli për emocionet e largimit dhe e pranoi se për herë të parë e ndjeu realisht fundin e këtij kapitulli.
“Për herë të parë i thashë vetes: ‘Kjo është hera e fundit që po e bën gjithë këtë’. Kam marrë shumë mesazhe dhe dy ose tre prej tyre më bënë të qaj. Mos më pyesni nga kush janë, sepse vijnë nga njerëz shumë të rëndësishëm për mua,” u shpreh Deschamps.
Trajneri theksoi se ka dhënë gjithçka për Francën dhe se kombëtarja do të mbetet gjithmonë mbi çdo interes personal.
“Ka marrë fund. Kam dhënë gjithçka që kisha për këtë fanellë. Kombëtarja vjen mbi të gjitha dhe jam krenar për gjithçka që kemi arritur gjatë këtyre viteve. Tani nis një kapitull i ri për Francën.”
Deschamps largohet si trajneri më jetëgjatë në historinë e Francës, pasi e drejtoi ekipin kombëtar që nga viti 2012.
Gjatë mandatit të tij e fitoi Kupën e Botës 2018 dhe Ligën e Kombeve 2021, ndërsa e çoi Francën edhe në finalet e Euro 2016 dhe Botërorit 2022, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në futbollin francez. /Gazeta Express


