Edhe sot, aktivistë e qytetarë janë mbledhur në protestë kundër kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij.
Protestuesit janë mbledhur para Parlamentit, ndërkohë që mediat raportojnë se incidente ka pasur edhe sot, transmeton KosovaPress.
Gjatë protestës, pati gjuajtje me vezë, ndërsa Policia ka shoqëruar 5 persona.
Gjatë përplasjes, një polic është goditur me gur në kokë.
Masat e sigurisë rreth Parlamentit janë shtuar që para nisjes së tubimit të qytetarëve. Përveç gardhit metalik dhe rrethimit të zonës, janë pozicionuar një autoblindë e forcave të sigurisë si dhe një autobot uji, i cili përdoret zakonisht për shpërndarjen e protestuesve në raste të përshkallëzimit të situatës.
Të martën gjithashtu, protestuesit zhvilluan një protestë para Parlamentit ku u regjistruan disa incidente. Situata u tensionua ku pati përplasje fizike dhe hedhje të mjeteve piroteknike.
Punonjësit e policisë arrestuan disa persona për shkak të këtyre incidenteve. Gjithashtu protestuesit hodhën akuza dhe bënë thirrje kundër deputetëve. Ata hodhën edhe vezë në drejtim të mjeteve të tyre.


