Një festë e organizuar për 1 Maj në Shtërpcë ka përfunduar me ndërhyrje policore dhe sekuestrim të substancave narkotike, mëson Sinjali.
Rasti është raportuar në orët e para të mëngjesit të 1 majit 2026 rreth orës 02:30, pasi njësitë policore kanë marrë informacion për një grumbullim të madh të rinjsh në një livadh në vendin e quajtur Përqevë.
Sipas burimeve, në vendngjarje kanë qenë rreth 100 persona, të cilët dyshohet se po konsumonin substanca narkotike. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, pjesa më e madhe e tyre janë larguar në drejtime të ndryshme, duke e vështirësuar kontrollin dhe identifikimin.
Gjatë kontrollit të hapësirës, në tokë dhe në vende të ndryshme, janë gjetur dhe sekuestruar substanca të dyshuara narkotike të llojeve:
marihuanë,kokainë,dhe substanca që dyshohet të jetë ekstazi (në formë pluhuri dhe pjesë të tabletave).
Në mesin e provave të konfiskuara janë:
disa sasi marihuane (nga 0.3 gram deri në 2.8 gram),një qese me kokainë (0.8 gram),substanca të dyshuara ekstazi (rreth 0.7 gram dhe një tjetër rreth 22 gram në formë pluhuri),si dhe pajisje për përdorim.
Për tre persona, tek të cilët është gjetur marihuanë, janë hapur raste për posedim të substancave narkotike, ndërsa për pjesën tjetër, hetimet po vazhdojnë për identifikimin e të dyshuarve.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, njësia e Hetimit të Trafikimit të Narkotikëve në Ferizaj, në bashkëpunim me Policinë në Shtërpcë, po ndërmerr veprime të mëtejshme për zbardhjen e plotë të rastit.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” dhe mbetet nën hetime.





