Haxhiu: Datën e seancës konstituive e caktoj javën e ardhshme

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të shpallë datën dhe orën e saktë të mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit.

Ajo tha se seanca do të thirret në mënyrë që të jenë të pranishëm të gjithë 120 deputetët, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Haxhiut, para thirrjes së seancës u është lënë kohë partive politike që, brenda afatit 30-ditor të përcaktuar, të zhvillojnë bisedime për arritjen e një marrëveshjeje politike.

Ajo u shpreh optimiste se, pas konstituimit të Kuvendit, nuk do të ketë bllokadë institucionale si në të kaluarën dhe theksoi rëndësinë e zgjedhjes së presidentit brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh.

Haxhiu tha se synimi është që marrëveshja politike të arrihet sa më shpejt, në mënyrë që vendi të mos përballet me zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

Sipas saj, zgjedhjet e parakohshme nuk do të ishin në interes të qytetarëve dhe as të subjekteve politike, prandaj mbështet dialogun e iniciuar nga partia fituese e zgjedhjeve.

Ajo tha se e ka vlerësuar pozitivisht pjesëmarrjen e PDK-së dhe LDK-së në takimet e thirrura nga kryeministri Albin Kurti, por shtoi se nuk e sheh si zhvillim pozitiv pezullimin e bisedimeve nga LDK-ja.

Në të njëjtën kohë, Haxhiu i bëri thirrje edhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) që t’u përgjigjet pozitivisht ftesave për takime.

“Nuk mund të ketë marrëveshje pa takime. Qasja serioze dhe konstruktive në këto diskutime çon drejt një marrëveshjeje”, deklaroi Haxhiu.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU