Infrakos apelon për respektimin e brezit të sigurisë pranë hekurudhës Fushë Kosovë–Pejë

Kompania Infrakos u bën thirrje qytetarëve, operatorëve ekonomikë dhe të gjithë përdoruesve të rrugëve që kryqëzojnë hekurudhën të respektojnë brezin e sigurisë pranë binarëve, me qëllim të garantimit të funksionimit të sigurt të vendkalimeve hekurudhore dhe mbrojtjes së jetës së qytetarëve.

Kompania njofton se në linjën hekurudhore Fushë Kosovë–Pejë janë të instaluara laura automatike në vendkalimet hekurudhore, të cilat funksionojnë përmes një sistemi automatik të sensorëve për të rritur sigurinë e trafikut hekurudhor dhe atij rrugor.

Sipas Infrakosit, të gjithë përdoruesit e rrugëve, operatorët e makinerive punuese dhe palët e tjera duhet të shmangin afrimin më pak se tre metra nga trupi i binarit, përveç rasteve kur janë të autorizuar dhe punimet kryhen në koordinim me autoritetet përgjegjëse.

Kompania thekson se respektimi i kësaj distance është i domosdoshëm për funksionimin e pandërprerë të sistemit automatik të vendkalimeve hekurudhore dhe për garantimin e sigurisë së trafikut.

Po ashtu, Infrakos bën të ditur se çdo shkelje e brezit të sigurisë pranë infrastrukturës hekurudhore do të monitorohet përmes sistemit të kamerave dhe, në rast konstatimi të shkeljeve, do të ndërmerren veprime në përputhje me legjislacionin në fuqi, përfshirë raportimin e rasteve tek organet kompetente.

Në fund të njoftimit, Infrakos thekson se siguria në hekurudhë është përgjegjësi e përbashkët dhe se bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për mbrojtjen e jetës dhe zhvillimin e sigurt të trafikut hekurudhor.

Dje, ka ndodhur një aksident trafiku rreth orës 14:00 në Fushë Kosovë, ku janë përfshirë një veturë dhe një tren, ku si pasojë e këtij aksidenti një person ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar trajtim mjekësor.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU