Joao Pedro shënon hat-trick për 9 minuta me Chelsesa

Sulmuesi i Chelseat, João Pedro, ka dhënë një përgjigje të fortë pas zhgënjimit të mosgrumbullimit me Brazilin për Kupën e Botës 2026.

Futbollisti 24-vjeçar shënoi një hat-trick brenda vetëm nëntë minutave në fitoren 6-4 të Chelseat ndaj Western Sydney Wanderers në një ndeshje miqësore parasezonale.

João Pedro nisi ndeshjen nga stoli dhe u aktivizua kur Chelsea ishte duke humbur 3-2.

Ai menjëherë ndikoi në lojë, duke asistuar Jamie Gittens për golin e barazimit, para se të shënonte tre herë radhazi dhe të siguronte fitoren për skuadrën londineze.

Trajneri i Chelseat, Xabi Alonso, vlerësoi mentalitetin e sulmuesit brazilian dhe tha se mungesa në Botëror i ka dhënë atij edhe më shumë motivim.

“Ai është shumë i uritur. João është vërtet, vërtet i vendosur për të pasur një sezon të madh. Ai dëshiron të vazhdojë të shënojë gjithnjë e më shumë. Ne duhet ta ndihmojmë, sepse i vetëm nuk është e mundur.” – tha Alonso.

João Pedro ishte një nga mungesat më të diskutuara në listën e Brazilit për Kupën e Botës, pasi trajneri Carlo Ancelotti vendosi të mos e përfshijë në skuadër. Sulmuesi, i cili u transferua te Chelsea nga Brighton, tani synon të rikthehet në planet e kombëtares me paraqitje të forta në Premier League.

Alonso foli gjithashtu për situatën e Liam Delap, i cili mund të largohet këtë verë, ndërsa Chelsea po shqyrton afrimin e sulmuesit me përvojë të Brighton, Danny Welbeck.

“E shoh në humor të mirë, me dëshirë për të arritur formën e duhur dhe për të luajtur futboll. Ai po bën mirë.” – deklaroi Alonso për Delap.

Trajneri spanjoll foli edhe për nevojën që skuadra të ketë më shumë përvojë, duke konfirmuar se klubi po punon për të ndërtuar një ekip më të kompletuar para fillimit të sezonit të ri.

“Të gjithë duhet të mësojnë. Nuk ka rëndësi nëse je i ri apo më me përvojë. Ne duam të kemi një skuadër të plotë dhe një ekip të mirë.”

Me paraqitjen e tij ndaj Western Sydney Wanderers, João Pedro dërgoi një mesazh të qartë: zhgënjimi nga mungesa në Botëror nuk e ka ulur motivimin e tij, por e ka kthyer në një burim shtesë energjie për sezonin e ardhshëm.

KosovaPress

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU