Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas rrëzimit të vinçit në një vendpunishte në rrugën “Holger Petersen”, ku një punëtor humbi jetën dhe një tjetër mbeti i lënduar, duke theksuar se vlerësimi i respektimit të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë është kompetencë e Inspektoratit të Punës.
Përmes një reagimi, Rama ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës dhe ka uruar shërim të shpejtë për punëtorin e lënduar.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetës së një punëtori në aksidentin e sotëm në një vendpunishte ndërtimore në rrugën ‘Holger Petersen’. Në emrin tim dhe të Kryeqytetit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, ndërsa të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar ai.
Rama ka falënderuar Brigadën Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policinë e Kosovës, ekipet e Urgjencës Mjekësore, Njësinë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, si dhe Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar gjatë ndërhyrjes.
Ai ka theksuar se rrethanat e aksidentit janë duke u hetuar nga organet kompetente.
“Rrethanat e aksidentit po hetohen nga organet kompetente. Vlerësimi i respektimit të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë është kompetencë e Inspektoratit të Punës, institucion në kuadër të nivelit qendror, dhe presim që hetimet të zbardhin plotësisht shkaqet dhe përgjegjësitë për këtë rast”, ka deklaruar Rama.





