Njëri nga dy personat që pësuan lëndime pas rrëzimit të vinçit në Prishtinë ka ndërruar jetë, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Për Raporto24, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se dy persona kishin pësuar lëndime trupore dhe ishin dërguar për trajtim mjekësor.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Si pasojë e lëndimeve, njëri nga ta nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipa mjekësore në QKUK”, ka deklaruar Pllana.
Sipas Policisë, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, ndërsa hetimet kanë nisur për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po punojnë për të sqaruar shkaqet që çuan deri te ky incident i rëndë.





