Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me incidentin e ndodhur pasditen e së martës në rrugën “Holger Petersen”, në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, ku u rrëzua një kran ndërtimi.
Për Raporto24, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, bëri të ditur se dy persona kanë mbetur të lënduar.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se dy persona kanë mbetur të lënduar, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Aktualisht, njësitet relevante, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për sqarimin e rrethanave të rastit”, deklaroi Pllana.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30. Pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë ekipet e Policisë së Kosovës, zjarrfikësit dhe emergjenca mjekësore, të cilat kanë zhvilluar një operacion shpëtimi për nxjerrjen e punëtorëve të lënduar.
Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat që çuan në rrëzimin e kranit./Raporto24/





