Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore që t’ua caktojë masën e paraburgimit pesë të dyshuarve për keqpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim të dokumenteve, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale.
Sipas të dhënave nga hetimi, pesë persona – Gazmend Heta, rreth 60-vjeçar, Bojan Lazic, rreth 45-vjeçar, Feriz Ukshinaj, rreth 54-vjeçar, Naim Sadikaj, rreth 44-vjeçar dhe Jahi Maliqi, rreth 40-vjeçar – dyshohet se në bashkëpunim kanë ndërtuar një skemë të falsifikimit të dokumenteve për përfitim pronash.
Hetimet kanë zbuluar se është përdorur një identitet i rremë, përmes dokumenteve të falsifikuara si letërnjoftim i Serbisë, certifikatë lindjeje dhe vdekjeje, me të cilat një person është paraqitur si pronar i parcelave në një fshat të Ferizajt.
Në këtë mënyrë janë siguruar certifikata pronësie për parcela me sipërfaqe totale prej 56,411 metra katrorë nga Zyra Kadastrale në Ferizaj.
Më pas, përmes një autorizimi të përpiluar dhe të nënshkruar në një restorant në Ferizaj, prona është kaluar tek përfitues të tjerë. Sipas hetimeve, një pjesë prej 20,458 m² i është shitur bashkëshortes së njërit prej të dyshuarve, ndërsa 9,332 m² një personi tjetër, përmes kontratave të shitblerjes të realizuara tek i njëjti noter.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar dokumente, fotografi dhe prova të tjera që lidhen me këtë skemë.
Sipas Prokurorisë, noteri Gazmend Heta dyshohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të dyshuarit e tjerë për “Falsifikim të dokumenteve”, “Legalizim të përmbajtjes së rreme” dhe “Blerje, pranim ose fshehje të sendeve të përfituara me vepër penale”.
Të gjithë të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve dhe, me vendim të Prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.
Hetimet për këtë rast janë në vazhdim





