Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas thirrjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm të kësaj partie të enjten, më 30 korrik, tha se ndonëse nuk e konsideron kuvend të drejtë si dhe e sheh të pakohë dhe të pavend, beson në demokraci për këtë dhe ka thirrur Kuvendin.
“Kam thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së. Siç ma kërkuan, për shkarkimin tim.
Në pesë vite si Kryetar, ky është Kuvendi im i katërt. Në tri prej tyre, kam dalë vetë para anëtarësisë dhe kam kërkuar besimin e saj. Këtë herë, të njëjtin besim më është kërkuar ta rimarr përsëri; veçse njëanshëm me kërkesë për shkarkim. Në 37 vite histori, kjo praktikë nuk ka gjetur vend asnjëherë në LDK”, shkroi Abdixhiku.
Ai tha se e ka konsideruar këtë Kuvend të panevojshëm, të pakohë, të pavend.
Shtoi se si proces të njëanshëm e konsideron të dëmshëm dhe përçarës, jo për fatin individual, por për plagët që veçse ia ka lënë LDK-së. Theksoi se as nuk ka qenë koha, as vendi, edhe më pak mënyra.
“Por zgjodhën një rrugë tjetër.
Dhe demokracia këtë ka. Si të tillë, më duhet ta pranoj. Edhe kur nuk më duket e drejtë. Unë e respektoj demokracinë; sepse e besoj. Prandaj ballafaqohem. Pres të sillen njëjtë edhe të tjerët pas të enjtes kur LDK flet përsëri.
Unë do të hyj në këtë Kuvend me bindje, me qetësi dhe me besim të plotë tek njerëzit tanë. Dhe në këtë rrugëtim, do të qëndrojë. Sepse përveç bindjes s’kam asgjë tjetër. Dhe nga këto bindje, del dhe thirrja ime, për delegatët e Lidhjes. Qëndroni!
Qëndroni, sepse, ndonëse ky nuk është Kuvendi që kam kërkuar, ai mund të bëhet Kuvendi që i jep LDK-së atë që i ka munguar më së shumti, qartësinë. Qartësinë se kjo shtëpi e madhe e demokracisë është veç e anëtarësisë!
Të enjtën, më 30 korrik, përcaktojmë LDK-në.
Pas saj, le të përcaktojmë Republikën”, shkroi Abdixhiku.





