Rahoveci zona më e goditur nga vërshimet, dëme në shtëpi e infrastrukturë

Rajoni i Prizrenit u përball mëngjesin e sotëm me vërshime të shpejta si pasojë e reshjeve intensive të shiut. Ndonëse në Prizren situata u normalizua pas mesditës pa pasoja të mëdha, në Rahovec sektori i bujqësisë ka pësuar goditje të fuqishme, ku shumë fermerë raportojnë për humbje të kulturave të tyre.

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime të mëdha në rajonin e Prizrenit, ku Komuna e Rahovecit mbetet zona më e goditur prej tyre. Sasi të mëdha uji kanë mbuluar akset kryesore rrugore dhe parkingjet, duke depërtuar edhe në oborret e shtëpive.

“Sa herë që bjen shi, dëmi minimum është 2 apo 3 mijë euro, minimumi që është teknika e bardhë, maqinat e lamjes e këto gjëra”, tha Almir Vuçitërna, banor i Rahovecit.

Drejtori për Emergjenca dhe Shpëtim në Rahovec, Irfan Berisha, ka bërë të ditur se aktualisht është herët të flitet për vlerën e saktë të dëmeve të shkaktuara, pasi komisioni komunal do të dalë në terren gjatë ditëve në vijim për ta bërë vlerësimin e plotë.

“Ky vërshim që ka ndodh sot në orët e hershme të mëngjesit, realisht nuk ishte paraparë në këtë shkallë, mirpo ja që ka ndodh. Qysh nga orët e hershme të mëngjesit të gjitha ekipet kanë qenë në terren me ju ofru qytetarëve ndihmë”, theksoi ai.

Sektori i bujqësisë, që përbën shtyllën kryesore ekonomike të Rahovecit, ka pësuar dëme mjaft të mëdha nga këto vërshime. Vetëm fermerit Ilvi Jupa uji i rrëmbeu plotësisht punën e një viti në një sipërfaqe prej 45 ari të mbjellë me pjepër.

“Tanë vitin kemi punu, shkoj huq për 10 minuta, e lus qeverinë të na ndihmojë pak se nuk e përballojmë dot këtë dëm”, tha ai

Vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha për fermerët pothuajse në të gjithë territorin e komunës.

“Komplet kjo që thirret Eremnik nga këtu e deri tek “Rrasat e Rahovecit”, komplet kjo është nën ujë, do me thënë ka dëme në vreshtari, ka në perimtari, ka në pemtari, do me thënë në të gjitha kulturat bujqësore që i përfshin Eremniku janë të përmbytura”, pohoi Behar Thaqi, drejtor i bujqësisë në Rahovec.

Reshjet e shpejta dhe të dendura të shiut kanë krijuar vështirësi të përkohshme në qarkullimin rrugor në komunën e Prizrenit. Sasia e madhe e ujit që ra brenda pak minutave ka bllokuar pusetat e kanalizimit rrugor, por për fat të mirë nuk raportohet për dëme materiale apo në njerëz.

Situata në këtë komunë është normalizuar plotësisht pas mesditës, ndërsa në komunat e tjera më të prekura të rajonit, si në Rahovec, pritet që komisionet zyrtare të dalin në terren në ditët në vijim për vlerësimin e saktë të dëmeve.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU