Polemikat rreth raportit të Brikenës me Mateon kanë nxitur një reagim publik nga familja e saj. Për herë të parë, nëna e banores së “Big Brother VIP 5”, Nebahate Selmani, ka thyer heshtjen përmes një mesazhi dërguar emisionit “Fan Club”, shkruan Raporto24.
Ajo ka theksuar se njohja e Brikenës në të kaluarën ka qenë thjesht njerëzore, e përfunduar prej kohësh dhe pa asnjë lidhje apo premtim, duke sqaruar se bëhet fjalë për një kapitull të mbyllur që nuk ka më rëndësi sot.
Në reagimin e saj, zonja Selmani ka bërë thirrje për respekt ndaj jetës private të vajzës, duke nënvizuar se pjesëmarrja në një format televiziv nuk e justifikon rikthimin e temave të vjetra apo përfshirjen e personave që nuk janë pjesë e lojës.
Ajo është shprehur krenare për mënyrën se si Brikena po e përballon këtë situatë brenda shtëpisë, duke theksuar se vajza e saj nuk ka nevojë të mbrohet nga të tjerët, por të gjykohet mbi vlerat dhe sjelljen që po demonstron gjatë eksperiencës.
Në fund të mesazhit, nëna e Brikenës e ka bërë të qartë se për familjen kjo çështje konsiderohet e mbyllur dhe se nuk do të ketë komente të tjera në vijim.


