Organizata e Veteranëve të UÇK-së i ka reaguar ministrit në detyrë, Dimal Basha, duke thënë se përdhosi Deklaratën e Pavarësisë.
Në një postim në Facebook, shihet se Deklarata e Pavarësisë është vendosur pranë mobileve.
Kjo ka nxitur reagimin e OVL-UÇK-së duke thënë se Basha duhet të sqarojë se në llogari të kujt u përdhos ky dokument.`
“Fotografia nga zyra e Dimal Bashës është rrëfim politik. Deklarata e Pavarësisë, e vulosur me sakrificë, gjak, burgime, mërgim dhe luftë, përdhoset nga ministri i Qeverisë Kurti.
Basha nuk ka bërë thjesht një gabim protokollar. Ka shpërfaqur një vazhdimësi. Një njeri që dikur u vinte firmën shkrimeve që shpifnin kundër UÇK-së duke e quajtur kriminale, nuk mund të fshihet sot pas pakujdesisë kur simboli i shtetësisë së Kosovës nëpërkëmbet nën autoritetin e tij. I njëjti përçmim, veçse i inskenuar brenda institucioneve që ekzistojnë falë atyre që ai ka fyer.
Albin Kurti dhe LVV-ja nuk mund t’i lajnë duart nga kjo. Lartësuan figura të tilla dhe normalizuan armiqësinë ndaj themeleve të Republikës, duke e kthyer pushtetin institucional në strehë për ata që nuk u pajtuan kurrë me pavarësinë e Kosovës. Arroganca e tyre ndaj Luftës Çlirimtare është kthyer në arrogancë ndaj vetë shtetit.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke e dënuar këtë akt të poshtër, i kujton Qeverisë se pavarësia e Kosovës nuk është dekor. UÇK-ja nuk është material shpifjesh për oportunistët politikë që ndërtuan karrierë mbi varret e atyre që vetë i dënuan. Prokuroria e Shtetit duhet të nis hetimet. Basha duhet të sqarojë se në llogari të kujt i përdhos dokumentet me vlerë të posaçme shtetërore, e Kurti duhet të përgjigjet për kulturën antishtetërore që ka instaluar qëllimisht në qeveri”.





