Rrafshohet tërësisht shtëpia “problematike” në rrugën “A” në Prishtinë
Është rrënuar tërësisht shtëpia e cilësuar si problematike në rrugën “A” në Prishtinë, rrënimi i së cilës ishte paralajmëruar një ditë më parë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Rrënimi ishte planifikuar të kryhej të martën, por u shty pasi pronari i shtëpisë, Faruk Maxhuni, nuk pranoi të largohej nga objekti.
Maxhuni dhe bashkëshortja e tij e kishin kundërshtuar rrënimin, duke deklaruar se më herët kishin njoftuar Policinë dhe Inspektoratin e Komunës së Prishtinës se ndërtimi i objekteve të reja në këtë zonë rrezikonte shembjen e shtëpisë së tyre.
Një ditë më parë, kryetari Përparim Rama kishte deklaruar se objekti ishte ndërtuar pa leje dhe ndodhej në pronë komunale.
Sipas Ramës, familjet që banonin në këto objekte ishin evakuuar para dy vjetësh për shkak të punimeve në “Rrugën A” dhe rrezikut nga rrëshqitja e dheut, ndërsa Komuna e Prishtinës ka mbuluar dhe vazhdon të mbulojë shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara.
Pas ndërhyrjes së ekipeve përgjegjëse, objekti është rrënuar plotësisht.





