Një fotografi e vetme ka mjaftuar për të ndezur menjëherë rrjetin dhe për të hapur spekulime rreth një projekti të ri muzikor, shkruan Raporto24.
Në një postim të bërë nga këngëtarja dhe pedagogia e vokalit, Adelina Thaçi, janë shfaqur së bashku në studio Tayna dhe Dhurata Dora, një kombinim që fansat nuk e kanë parë më parë në një bashkëpunim.
“Studios tonë iu shtua edhe një yll tjetër. Dhurata Dora sot bashkë edhe me Tayna. Punë, energji, të qeshura… edhe pak magji”, ka shkruar Adelina, duke shtuar edhe më shumë mister rreth asaj që po përgatitet.
Edhe pse as Tayna e as Dhurata Dora nuk kanë bërë ndonjë konfirmim zyrtar, prania e tyre në të njëjtën studio ka mjaftuar që ndjekësit të besojnë se një duet mund të jetë shumë pranë publikimit.
Nëse kjo rezulton e vërtetë, do të ishte hera e parë që dy artistet bashkojnë forcat në një projekt muzikor. Duke marrë parasysh sukseset e shumta që secila ka shënuar ndër vite, një bashkëpunim mes tyre pritet të zgjojë interes të madh dhe të jetë ndër publikimet më të komentuara të kësaj periudhe.
Për momentin, gjithçka mbetet në kuadër të pritjes, ndërsa fansat presin që dy këngëtaret të zbulojnë nëse pas këtij takimi në studio fshihet vërtet një hit i ri.


