Largimi i papritur i MC Kreshës nga emisioni “Ekipi A” në ATV ka shkaktuar reagime të shumta dhe ka ngritur pikëpyetje për atë që ndodhi në studio, transmeton Raporto24.
Për herë të parë pas incidentit ka folur moderatorja Doruntina Alshiqi, e cila ka sqaruar versionin e saj të ngjarjes në një prononcim për Prive by Liberta Spahiu.
Sipas saj, gjithçka nisi kur gjatë intervistës vuri re se MC Kresha dhe Xuxi po zhvillonin një bisedë mes tyre, e cila po pengonte rrjedhën normale të emisionit. Për këtë arsye, ajo ndërhyri duke i pyetur se çfarë po diskutonin, me qëllim që situata të bëhej e qartë edhe për publikun.
Megjithatë, reagimi i reperit ishte i menjëhershëm. Ai refuzoi të përgjigjej, duke i thënë moderatores: “S’ka çka të intereson ty, s’po du me fol”, e më pas u ngrit dhe u largua nga studio.
Doruntina Alshiqi theksoi se nuk kishte asnjë debat personal mes saj dhe MC Kreshës, por se ndërhyrja e saj ishte pjesë e rolit profesional si moderatore për të ruajtur rendin dhe komunikimin në studio.
Ajo shtoi se respekton mënyrën se si çdo i ftuar zgjedh të reagojë, por vlerëson se detyra e moderatorit është të bëjë pyetje, të sqarojë situatat dhe të sigurojë që publiku të kuptojë atë që ndodh gjatë transmetimit.
Ndërkohë, MC Kresha ende nuk ka reaguar publikisht për incidentin, ndërsa momenti i largimit të tij vazhdon të komentohet gjerësisht në rrjetet sociale.


