Komiteti Olimpik i Kosovës në një ceremoni të veçantë të organizuar të premten ka shpallur më të mirët e sportit për vitin 2025.
Çmimi “Sportisti më i mirë i vitit” i takoi xhudistit Akil Gjakova, ndërsa “Sportistja më e mirë e vitit” u shpall xhudistja Distria Krasniqi, për sukseset e arritura gjatë vitit 2025 dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, çmimi “Trajneri më i mirë i vitit” iu nda trajnerit të xhudos, Driton Kuka.
Pasi mori çmimin, Distria Krasniqi e vlerësoi vitin 2025 si vitin ku arriti rezultate kulminante në sportin e xhudos
Krasniqi: 2025 ishte vit kulminant për mua
VIDEO:
“Është një kënaqësi e veçantë që prapë të shpallem si “Sportiste e Vitit”. Viti 2025 ka qenë një vit shumë i suksesshëm kur u bëra për herë të tretë kampione evropiane, nënkampione botërore si dhe e përmbylla vitin në mënyrën më të mirë të mundshme si e para në ranglistën botërore. Për të gjitha këto suksese e falënderoj trajnerin tim, Tonin (Driton Kuka), i cili edhe pse i ka arritur të gjitha si trajner, ai ende nuk po ndalet, ende po vazhdon me të njëjtin ritëm dhe fal tij sukseset e xhudos së Kosovës nuk po ndalen”, tha Krasniqi.
Kurse Akil Gjakova, tha se këto çmime vijnë për shkak të punës dhe përkushtimit të tij maksimal për sportin e xhudos.
Gjakova: Ky çmim vjen fal punës dhe përkushtimit tim për xhudon
VIDEO:
“Jam shumë i lumtur që po shpallem sërish “Sportisti i Vitit”. Kjo është për të disatën herë me radhë dhe kjo vjen fal punës së madhe, përkushtimi edhe konsistencësqë e kam për sportin e xhudos. Dua ta falënderoj trajnerin tim Tonin (Driton Kuka) për përkrahjen e vazhdueshme, familjen time edhe federatën e xhudos, ndërsa ky vit shpresoj të shkojë mbarë për të gjithë sportistët dhe t’i arrijnë qëllimet e tyre”, u shpreh Gjakova.
Nga ana tjetër, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, theksoi se fokusi kryesor i KOK-ut ishte sportisti dhe investimi në të ardhmen e tij përmes bursave të ndryshme.
Krasniqi: Në vitin 2020, KOK-u e kishte në qendër vetëm sportistin
VIDEO:
“Viti 2025 ka qenë një vit me rëndësi të veçantë për Komitetin Olimpik të Kosovës. Para së gjithash, dëshiroj të shpreh falënderimin tim të sinqertë për besimin e delegatëve të cilët më rizgjodhën një mandat tjetër. Ky besim përfaqëson një përgjegjësi të madhe morale dhe institucionale për të vazhduar punën dhe përkushtimin, integritetin dhe vizionin të qartë për të ardhmen e sportit tonë. Në qendër të veprimtarisë sonë gjatë këtij viti ka qenë sportisti. Përmes ndarjes së 90 bursave për sportistë dhe trajnerë, me vlera mujore prej 150 deri 1300 dollarë. Komiteti Olimpik i Kosovës ka dëshmuar se mbështetja konkrete është themel i misionit tonë. Këto bursa janë shprehje e respektit, besimit dhe vlerësimit për përpjekjen e përditshme të atyre që me punë dhe sakrificë e përfaqësojnë Kosovën në arenat më të mëdha botërore”, theksoi Krasniqi.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Ai theksoi se medaljet e fituara janë dëshmi e punës së palodshme të spotistëve, derisa theksoi se shteti po punon për investime të tjera nnë zhvillimin e sportit.
Kurti: Çdo medalje e fituar është dëshmi e punës suaj të pandalshme
VIDEO:
“Çdo medalje e fituar, të dashur kampionë, është dëshmi e talentit të jashtëzakonshëm dhe e punës suaj të pandalshme. Andaj më lejoni t’ju falënderoj të gjithëve për angazhimin tuaj të vazhdueshëm, për çdo stërvitje të hershme të mëngjesit që nuk keni munguar, dhe për çdo garë ku keni ngritur flamurin e Kosovës dhe është dëgjuar himni i shtetit tonë me dinjitet. Gjatë viteve të fundit, së bashku kemi punuar që sporti të zhvillohet në një sistem funksional dhe strukturë të qëndrueshme që mundëson zhvillim afatgjatë. Kemi rritur investimet kapitale dhe mbështetjen financiare, kemi forcuar kornizën ligjore dhe kemi zhvilluar programe konkrete që mbështesin sportistët, si dhe kemi vendosur standarde të qeverisjes së mirë brenda sektorit të sportit. Rruga që kemi nisur kërkon vazhdimësi dhe përkushtim edhe më të madh në vitet në vijim”, theksoi Kurti.
Në kuadër të ceremonisë u ndanë edhe çmime të tjera. Xhudistja Enisa Ziadë u shpall “Shpresa Olimpike” për vajza, ndërsa taekëondisti Bleron Ademi u vlerësua si “Shpresa Olimpike” për meshkuj. Çmimi special për vajza i takoi xhudistes Laura Fazliu, ndërsa çmimi special për meshkuj u nda për Astrit Hasanin, kryetar i Federatës Evropiane të Peshëngritjes.






