Profesori i historisë, Durim Abdullahu, ka intervistuar Hasan Polluzhën (Hasan Kastratin), një prej të mbijetuarve të burgut famëkeq të Goli Otokut, i cili rrëfen vuajtjet e tij të pashembullta në këtë kamp përqendrimi jugosllav.
Hasan Polluzha, i lindur në vitin 1943, ishte arrestuar në vitin 1963 pasi kishte kaluar ilegalisht kufirin për në Shqipëri dhe ishte kthyer prej andej. Fare i ri, ai i ishte bashkuar organizatës ilegale NDSH, duke u betuar me dorë mbi flamur për të luftuar me armë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e trevave shqiptare me Shqipërinë.
Në Goli Otok, Hasani kaloi pesë vite të mbushura me tortura, urie dhe izolim. Nga momentet më të vështira, ai përmend rrahjet barbare, thyerjen e dhëmbëve nga torturat, si dhe urinë kronike për shkak të mungesës së ushqimit. Në ato kushte çnjerëzore, mbijetesa ishte një sfidë e përditshme. Hasani kujton se si mësoi të mbijetonte nga Stavro Andoni, një partizan shqiptar i dënuar politik nga koha e Luftës së Dytë Botërore, i cili kishte kaluar 12 vite burg në Goli Otok.
Gjatë pesë viteve të burgimit, familja e Hasanit arriti ta vizitonte vetëm pesë herë. Pavarësisht kalvarit të vuajtjeve, ai sot ruan me kujdes një fotografi të vjetër të disa të burgosurve të Goli Otokut, e cila për të mbetet një kujtim i gjallë i atyre ditëve të errëta. Në këtë fotografi, megjithëse ai vetë nuk shihet, Hasani e konsideron si dëshmi të vetme fizike nga ajo periudhë.
Një tjetër kujtim të çmuar që Hasani e mban ende është fotografia me pushkën që kishte arritur t’ua merrte ushtarëve jugosllavë në Pejë dhe e kishte fshehur deri në luftën e viteve 1997-1999 në Kosovë.
Ky rrëfim i rrallë i Hasan Polluzhës, i sjellë nga profesori Durim Abdullahu, është një dëshmi e gjallë e sakrificave të brezave të tërë shqiptarësh që kanë kaluar përmes vuajtjeve të pafundme për lirinë e Kosovës./Raporto24/








